OJQ Aksioni kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes (ANP) do të realizoj hapjen e ekspozitës “Dritë në shpirt”, më 7 korrik 2021, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00 .

Ekspozita “Dritë në shpirt” është e pesta me radhë, e realizuar nga ANP, në bashkëpunim me pjesëmarrësit e projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”.

Kjo ekspozitë është një prurje kujtimesh për t’i memorizuar që të mos zhduken apo të mos bien në harresë nën trysninë e së tashmes, që përballet me sfida e sprova të një dimensioni tjetër të jetës.

Në njëzet e nëntë tablotë artistike pasqyrohen të përmbledhura të gjitha ato momente të vështira e të rënda që u kapërcyen me dhembje e vuajtje të papërshkrueshme, humbje e sakrifica të mëdha gjatë një periudhe të gjatë, e në veçanti gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur prej datës 7 deri më 10 korrik 2021 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

Ky projekt është duke u implementuar në partneritet me KURVE Wustrow nga Gjermania dhe përkrahet financiarisht nga Ministria Federale e Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).