OJQ Aksioni kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes (ANP) ka realizuar shfaqjen  “Ofshamë” në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë” në bashkëpunim me Teatrin e qytetit të Gjilanit.

Shfaqja është një zë, një thirrje a një reflektim i shoqërisë tonë mbi rrugën, vështirësitë dhe gjendjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë si dhe fatin e njerëzve të pagjetur. Një ëndërr e tyre. Një ankth bashkë me një ofshamë në fund. Një dashuri e humbur. Një e vërtetë dhe një dhimbje e madhe.

Premiera e shfaqjes “Ofshamë” me koncept dhe  regji nga Burim Baftiu dhe Erson Zymberi është shfaqur me rastin e ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut më 10 dhjetor 2019 në Teatrin e qytetit të Gjilanit dhe më 7 shkurt 2020 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.

Ky projekt është duke u implementuar në partneritet me KURVE Wustrow nga Gjermania dhe përkrahet financiarisht nga Ministria Federale e Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).