Ballafaqimi me të kaluarën e dhunshme në mënyrë konstruktive nxit paqe të qëndrueshme dhe një demokraci të fuqishme. Duke kontribuar në ndërtimin e paqes, proces i ballafaqimit me të kaluarën përfshinë rikrijimin e drejtësisë, gjetjen e së vërtetës si dhe njohjen zyrtare të së kaluarës dhe ri-formësimin e marrëdhënieve shoqërore.
Këto procese kontribuojnë në rindërtimin e besimit dhe strukturave që janë të nevojshme për formimin e mënyrave të reja të të jetuarit bashkërisht në mënyrë paqësore. Për më tepër, ballafaqimi me të kaluarën nuk lidhet vetëm me nivelin individual. Aksioni kundër Dhunës dhe Ndërtim të Paqes (ANP) është duke realizuar trajnime për individët për të kontribuuar në pajtimin e shoqërisë kosovare.
Pajtimi: Është një proces përmes së cilit shoqëria lëviz nga e kaluara e ndarë në një të ardhme të përbashkët” David Bloomfed
„Vetëm një e Vërtetë“
Në Ballkan dhe në Kosovë, qarkullojnë “të vërteta” të ndryshme për t’i shpjeguar luftërat e viteve të 90-ta. Që të gjithë pohojnë se versioni i tyre është e vërteta e vetme. Këto rrëfime dominuese shpesh e përjashtojnë vuajtjen e pakicave ose i injorojnë krimet e kryera nga komuniteti i tyre. Padrejtësia e shkaktuar ndaj individëve rrallë publikohet ose njihet. Në aspektin kombëtar, ballafaqimi sistematik me të kaluarën është i pamjaftueshëm ose mungon.
Në bashkëpunim me KURVE Wustrow nga Gjermania, ANP-ja është duke e zbatuar projektin “Ballafaqimi me të Kaluarën në Kosovë” dhe punon me një grup multi-etnik. Në një hapësirë të sigurt pjesëmarrësit mund t’i ndajnë tregimet e tyre të jetës nga lufta pavarësisht moshës, gjinisë dhe etnisë.
Rrëfimet e ndara
Shoqëria kosovare është etnikisht e ndarë në të gjitha aspektet: arsimi, shkollat, kultura, feja dhe politika. Në këtë kontekst, paragjykimet dhe zemërimet ndaj komuniteteve tjera nxiten përmes një këndvështrimi të njëanshëm të historisë dhe luftës së fundit. Dëshmitarët e luftës i ndajnë tregimet e tyre vetëm në grupet e tyre etnikisht homogjene ose i mbajnë si të pathëna. Një shkëmbim i tregimeve nga anë të ndryshme me fokus në pajtim gati nuk ekziston. Në këtë atmosferë, pajtimi në shoqërinë e ndarë të Kosovë vështirë që do të ndodhë.
ANP-ja është duke e nxitur një rrëfim gjithëpërfshirës për të kaluarën, i cili ofron mundësi dhe rrugë për pajtim. Krijimi i një kulture të kujesës, e cila në mënyrë konstruktive trajton dhunën, krimet e kryera dhe abuzimet e të drejtave të njeriut, në aspekt afatgjatë do të kontribuojë në pajtimin në nivel institucional dhe privat në Kosovë.
“Jo për ata që e ngritin dorën në krim, por për ata që e zgjasin dorën në pajtim.” Adem Demaci