Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, ku 53% janë nën moshën 25 vjeçare. E ardhmja e Kosovës janë gjeneratat e ardhshme. Nëse duam të ndryshojmë shoqërinë tonë, ne duhet të punojmë në shkolla me mësuesit, studentët dhe nxënësit.
„Nëse duam që të arrijmë paqe në këtë botë dhe nëse dëshirojmë ta zhvillojmë një kundërshtim të fuqishëm kundër luftës, duhet të fillojmë me fëmijët tanë. Dhe nëse ata do të rriten në pastërtinë e tyre natyrore, ne nuk do të vuajmë, nuk do të na duhet të nxjerrim rezoluta të kota dhe jo produktive….” Mahatma Gandhi
Megjithatë, gjeneratat e reja rriten në një mjedis të mosbesimit mes fqinjëve dhe rrëfimeve të njëanshme rreth luftës së vitit 1999. Për fat të keq, ndarja e shoqërisë sonë përgjatë linjave etnike mund të thellohet në të ardhmen dhe qysh sot fëmijët tanë nuk e mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit. Mosnjohja e gjuhës, kulturës dhe zakoneve të njëri-tjetrit rezulton me njohjen vetëm të komunitetit tënd dhe shkakton rritjen e stereotipeve, paragjykimeve dhe frikës nga “të tjerët”. Këtu janë shkaqet e konflikteve dhe dhunës në të ardhmen. Si mund ta ndryshojmë sistemin tonë në një shoqëri të respektueshme dhe tolerante, përderisa ndërtojmë muret e mosbesimit dhe ndarjes?
Si edukimi për paqen mund të ndihmojë në tejkalimin e gjendjes aktuale?
ANP-ja i konsideron shkollat dhe arsimin si një platformë të mirë në të cilën ndërtohet një shoqëri paqësore.
Shkollat dhe mësimdhënësit mund të kenë ndikim pozitiv te nxënësit e tyre duke vepruar si shembuj për tolerancën dhe respektin. Për këtë arsye ANP-ja i fuqizon mësimdhënësit nga komunitetet e ndryshme të Gjilanit dhe rajonit, për t’u bërë akterë të ndryshimeve duke promovuar kulturën e padhunshmëris, duke i luftuar paragjykimet dhe duke i angazhuar nxënësit në procesin e ndërtimit të paqes në vend.
Pengesat në sistemin shkollor për një shoqëri paqësore
Sistemi i ndarë shkollor në Kosovë dhe përdorimi i dy plan programeve të ndryshme nuk e promovon dialogun ndër-etnik dhe pajtimin. “A keni takuar ndonjëherë një mësimdhënës nga komuniteti tjetër” ishte njëra nga pyetjet që ANP e kishte përdorur në anketën për projektin “Parandalimi i Konfliktit në Kosovë”. Nga 100 mësimdhënës, 80 ishin përgjigjur me “Jo”. Vetëm mësimdhënësit më të vjetër, që tanimë kishin punuar para 1991, ishin përgjigjur me “Po”.
Edukimi për paqen e konsideron punën në shkolla dhe në sistemin arsimor si një përkrahje të madhe për arritjen e paqes së qëndrueshme. ANP-ja po punon në trajtimin e temave të mëposhtme:
- Kuptimi i Konfliktit
- Mësimi i Mënyrave Alternative për Zgjidhjen e Konflikteve
- Perceptimi i Vetes dhe i të Tjerëve
- Komunikimi i padhunshëm
- Rolet e gjinive
- Paragjykimet/Stereotipet
- Puna ekipore dhe marrja e përbashkët e vendimeve
- Shpjegimi i ndërtimit të paqes
- Metodat Kreative
Vlerat e paqes dhe demokracisë janë duke u promovuar në këtë mënyrë brenda sistemit arsimor të Kosovës. Ne jemi duke punuar për t’i bërë fëmijët dhe mësimdhënësit të aftë për tu përballur me sfidën e të jetuarit në një mjedis multi-etnik dhe multi-kulturor. Në projektet tona ne i bëjmë bashkë mësimdhënësit nga komunitetet e ndryshme për zhvillimin e aftësive jo të padhunshme në komunikim dhe sjellje. Këto aftësi dhe qasje për zgjidhjen e konflikteve në një mënyrë të të padhunshme më vonë do të multiplikohen nga pjesëmarrësit në punën e tyre ditore në shkolla dhe përmes kontaktit me të rinjtë.