Komunikimi i padhunshëm: Paqja përmes fjalëve
Padhunshmëria është diçka më tepër se mungesa e luftës dhe dhunës fizike. Ajo përbëhet nga metodat dhe qasjet e ndryshme. Së pari, pdhunshmëria përfshinë praktikën personale i të qenit i padëmshëm ndaj vetes dhe të tjerëve në të gjitha rrethanat. Mirëpo, padhunshmëria përkufizohet jo në mënyrë pasive, por gjithashtu përfshinë veprimet padhunshme për arritjen e ndryshimit politik dhe shoqëror. Prandaj, mënyra se si komunikojmë me njëri-tjetrin luan një rol të rëndësishëm. Ne, pa vetëdije, ndikojmë në rrethin tonë dhe në atmosferën e dialogut përmes fjalëve dhe argumentimit tonë. Veçanërisht në kontekstin e ndërtimit të paqes dhe pajtimit, një komunikim konstruktiv dhe i padhunshëm është i dobishëm për krijimin e besimit, simpatisë dhe mirëkuptimit.
Psikologu amerikan Marshall Rosenberg ka zhvilluar konceptin e ‘Komunikimit të Padhunshëm’ në vitet e 60-ta me qëllim të përdorimit të komunikimit si metodë për një ndërveprim paqësor, të përbashkët dhe të respektueshëm për zgjidhjen e konflikteve në një mënyrë konstruktive. Sipas kësaj ideje, komunikimi nuk përdoret për ta bindur ndokënd për ndonjë veprim specifik por për ta krijuar një marrëdhënie të çmuar për më tepër bashkëpunim drejt një jete të përbashkët. Sipas këtij argumentimi, arritja e një paqeje të qëndrueshme dhe raporteve paqësore është e mundur vetëm përmes kontaktit real dhe të ndjeshëm. Komunikimi jo i dhunshëm karakterizohet me bashkëndjesi dhe solidaritet e jo me ndarje dhe gjykim. ANP-ja promovon këtë lloj komunikimi dhe e përfshinë Komunikimin e Padhunshëm në trajnimet dhe punëtoritë e saj. ANP-ja e kupton rëndësinë e Komunikimit të Padhunshëm për krijimin e një shoqërie të padhunshme dhe e përdor këtë teknikë në punëtoritë dhe trajnimet e saj për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të respektueshëm për të gjithë pjesëmarrësit tonë.
Për të mësuar më tepër për Komunikimin të Padhunshëm shikoni këtë film!
Si funksionon Komunikimi i Padhunshëm?
Shprehja e nevojave tona është pengesa kryesore kur është fjala për zgjidhjen e konflikteve. Në komunikimin armiqësor, nevojat dhe dëshirat shprehen në formë të qortimeve, gjykimeve dhe pretendimeve. Këto mesazhe mund t’i lëndojnë të tjerët, të cilët pastaj përgjigjen me arsyetime të reja, me më tepër qortime dhe më tepër keqkuptime në vend të një zgjidhjeje të përbashkët – dhe ja prapë kthehemi në rrethin vicioz. Komunikimi i Padhunshëm na mëson si të shprehemi dhe si t’i kuptojmë nevojat dhe dëshirat e të tjerëve. Në vend të reagimeve automatike, fjalët tona bëhen përgjigje të vetëdijshme të bazuara vetëm në njohurinë e asaj që ne e perceptojmë, ndjejmë dhe dëshirojmë në atë moment. Në të njëjtën kohë, ne iu kushtojmë të tjerëve vëmendje të respektueshme dhe të ndjeshme.