Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë që të merrni pjesë në hapjen e ekspozitës “Fara e kujtesës”, më 17 dhjetor 2019, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 .

Ekspozita “Fara e kujtesës” është një eksplorim reflektues i të kaluarës së dhunshme të luftës në Kosovë, i ndërmarrë nga qytetarët prej tërë Kosovës, të cilët gjatë këtij viti morën pjesë në ciklin e trajnimeve për “Ballafaqim me të kaluarën”, të organizuar nga OJQ Aksioni kundër dhunës dhe Ndërtimi i Paqes (ANP).

Punimet e paraqitura janë rezultat i punës së pjesëmarrësve, të cilët, bashkërisht, u përpoqën që nëpërmjet kujtimeve  të tyre të dhimbshme të së kaluarës, njëherazi të arrijnë edhe një të ardhme të formësuar nga empatia dhe vizioni i përbashkët i paqes.

Duke përdorur mënyrat e shprehjes artistike, pjesëmarrësit e projektit kanë krijuar imazhe unike të kujtimeve të tyre, që e bëjnë të kuptueshëm konceptin “Ballafaqimi me të kaluarën” në një nivel shumë personal dhe frymëzues.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur prej datës 17 deri më 20 dhjetor 2019 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

Ky projekt është duke u implementuar në partneritet me KURVE Wustrow nga Gjermania dhe përkrahet financiarisht nga Ministria Federale e Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).