Ideja prapa Ndërtimit të paqes është se paqja në shoqëri dhe raportet njerëzore nuk janë një dhuratë nga lart. Ajo është në duart dhe mendjet tona për krijimin e një kulture, e cila promovon paqen dhe pranimin e dallimeve. Aksioni kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes (ANP) i përkushtohet kësaj ideje dhe është duke punuar në Ndërtimin e paqes në Kosovë që nga themelimi i saj në vitin 2002.
Ndërtimi i paqes për ne është një term i gjerë që përbën të gjitha fushat e punës së ANP-së: Edukimin për paqe, Politikat publike dhe Ballafaqimin me të kaluarën. ANP-ja angazhohet në zbatimin e idesë së padhunshmëris në këto fusha dhe në angazhimin aktiv të qytetarëve në ndërtimin e paqes.
“Askush nuk është lindur për ta urryer personin tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës, origjinës apo religjionit të tij. Njerëzit duhet të mësojnë të urrejnë, dhe nëse mësohen të urrejnë, ata mund të mësohen të dashurojnë, sepse dashuria i vjen më natyrshëm zemrës së njeriut sesa e kundërta.” Nelson Mandela
Paqja pozitive
Pasi që shoqëritë post-konfliktuoze kanë tendenca që t’i kthehen dhunës, Kosova ka një nevojë të theksuar për një ndërtim të avancuar të paqes. Për të parandaluar rishfaqjen e konfliktit të dhunshëm, ANP-ja në mënyrë aktive punon në tejkalimin e pasojave të luftës nga këndvështrimi i shoqërisë civile. Të drejtat e njeriut dhe të pakicave nxiten dhe promovohen në shkolla, institucione dhe përmes trajnimeve dhe punëtorive.
Ekzistojnë shumë akterë të mëdhenj për Ndërtimin e Paqes në Kosovë që e formësojnë dhe promovojnë paqen nga niveli lartë-poshtë. Siç ne e kuptojmë, paqja fillon në mendjet dhe qëndrimet e njerëzve dhe për këtë arsye ANP-ja e thekson këtë proces nga niveli lokal. Pasi që paqja pozitive nuk mund të arrihet vetëm përmes kushtetutës së duhur shtetërore në letër, është koha që të bëhet ndryshimi në mendimet, veprimet dhe vendimet tona të përditshme.