Thirrje për paqe

Jetojmë në një botë
me kohë të përshpejtuar,
e orë të kurdisur,
për t’u vetëshkatërruar.

Dhe nuk zëmë mend,
por vend e pa vend,
shkrepim armë,
gjoja për të vënë rend.

Tundim malet,
dridhim tokën,
tërbojmë detin,
dëmtojmë planetin.

Po s’u ndalëm,
do na zë e rënda nëmë
kur pasardhësit
të shohin
se çfarë bëmë;
si i lamë pa shtëpi,
e pa trashëgimi.

Do të pyesin veten:
a thua kaq të krisur ishin, vallë,
që nëpërkëmbën gjënë e gjallë,
që çuan dëm krejt këto burime,
vetëm e vetëm
për përfitime?!

E, fjala edhe sot
sillet
në rreth të mbërthyer,
kot më kot.

Ndërgjegjja e fjetur
luan kukafshehti
me të vërtetën,
ndërkohë që
dashuria
ndihmon paqen
për ta gjetur
vetveten.

Emine Ismajli