OJQ AKSIONI KUNDËR DHUNËS
DHE NDËRTIMI I PAQES
ANP
FTESË PËR APLIKIM
për pjesëmarrje në aktivitetet e projektit
“BALLAFAQIMI ME TË KALUARËN NË KOSOVË”
15.11.2019 – 23.11.2019
Ulqin, Mali i Zi
Të nderuar/a,
OJQ Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes (ANP) në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, organizon trajnimin tetëditor edukim për paqe, me qëllim të krijimit të një ambienti paqësor, të promovimit të kulturës së padhunshmërisë dhe tolerancës, si dhe të krijimit të mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë.
Ky projekt ofron mundësinë që të rinjtë të takohen me historinë, të reflektojnë mbi temën e ballafaqimit me të kaluarën, të sfidojnë dhe shprehin veten në role të ndryshme përmes teatrit dokumentar.
Në kuadër të këtij projekti do të realizohen këto aktivitete:
- Trajnimi tetëditor edukim për paqe do të mbahet në Ulqin, Mali i Zi prej 15.11.2019 deri më 23.11.2019. Temat të cilat do të shtjellohen gjatë trajnimit janë: komunikimi/komunikimi i padhunshëm, puna ekipore, paragjykimet, kuptimi i konfliktit, diskriminimi, roli i gjinive në shoqëri, kreativiteti, ballafaqimi me të kaluarën dhe ndërtimi i paqes.
- Përgatitja e shfaqjes artistike nga data 25.11-09.12.2019 në Gjilan.
- Premiera e shfaqjes artistike më 10.12.2019 në Gjilan.
Të gjitha aktivitetet e projektit do të zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet ekipit të ANP-së, dy regjisorëve dhe pjesëmarrësve të projektit.
Metodologjia
Metodat që do të përdoren gjatë aktiviteteve të projektit janë interaktive dhe krijojnë hapësirë të lirë për të gjithë pjesëmarrësit që t’i shprehin qëndrimet, përvojat, mendimet dhe idetë e tyre, si dhe mundësojnë diskutime konstruktive. Këto metoda do të aplikohen përmes punëtorive, ushtrimeve, shkëmbimit të mendimeve, diskutimeve plenare, shprehjes artistike, punës në grupe të vogla si dhe prezantimeve individuale.
Kriteret për pjesëmarrje:
- mosha nga 19-25 vjeç
- barazia gjinore
- interesimi dhe gatishmëria për pjesëmarrje në të gjitha aktivitetet e projektit
- aplikacioni i plotësuar në mënyrë të hollësishme (posaçërisht t’i kushtoni kujdes pyetjes së motivimit)
- balanci etnik
- dëshira për ta shprehur veten përmes artit
Mënyra e aplikimit
Ftojmë që të aplikojnë të gjithë ata dhe ato që janë të interesuar/a të marrin pjesë në aktivitetet e këtij projekti me qëllim që në këtë mënyrë ta japin kontributin e tyre në procesin e ballafaqimit me të kaluarën.
Është paraparë që në projekt të marrin pjesë 16 pjesëmarrës, të përzgjedhur nga të gjitha komunitetet që jetojnë në komunën e Gjilanit (student/e, artist/e, përfaqësues/e të mediave, përfaqësues/e të shoqërisë civile, mësimdhënës/e, përfaqësues/e të institucioneve lokale dhe qëndrore dhe individë të motivuar).
Duke pasur parasysh që numri i pjesëmarrësve në projekt është i kufizuar, ekipi i trajnerëve të ANP-së do të bëjë përzgjedhjen e pjesëmarrësve duke u bazuar në kriteret e lartshënuara.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur paraprakisht do të informohen me kohë për të gjitha çështjet teknike.
Plani i punës do të jetë dinamik dhe do të punohet paradite dhe pasdite me një pauzë më të gjatë në mesditë.
Trajnimi do të mbahet në gjuhën shqipe dhe serbe me përkthim.
Ju lusim që aplikacionin e plotësuar ta dërgoni në e-mail adresën anp.trainings@yahoo.com më së largu deri më 01.11.2019.
Aplikacioni për trajnim shkarko këtu
Çështjet teknike
Shpenzimet e akomodimit, ushqimit dhe të udhëtimit i mbulon organizatori.
Ky projekt përkrahet financiarisht nga Ministria Federale e Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), përmes organizatës partnere KURVE Wustrow nga Gjermania.
Për çdo informatë shtesë mund të na kontaktoni në:
OJQ Aksioni kundër dhunës dhe
Ndërtimi i Paqes, ANP-Gjilan
Rr.Idriz Seferi 23, 60 000 Gjilan
Tel. +383 280 329 926
Mob. +383 44 211 895; +383 44 399 605
E-mail: anp.trainings@yahoo.com
Website: www.anp-ks.org